Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është lajmëruar pas takimit që zhvilloi me liderët evropianë në Ambasadën e Ukrainës në Washington. Takimi u bë për t’i bashkërenduar qëndrimet para takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, në Washington.
Zelensky ka deklaruar se “qëllimi ynë kryesor” është paqja e besueshme dhe e qëndrueshme për Ukrainën dhe për mbarë Evropën.
“Dhe është e rëndësishme që dinamika e të gjitha takimeve tona të çojë pikërisht në këtë rezultat. Ne e kuptojmë se nuk duhet të presim që Putini të heqë dorë me dëshirë nga agresioni dhe përpjekjet e reja për pushtim. Prandaj, presioni duhet të funksionojë, dhe ai duhet të jetë presion i përbashkët – nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, dhe nga të gjithë në botë që respektojnë të drejtën për jetën dhe rendin ndërkombëtar”, shkroi ai.
Ai i falënderoi partnerët e Kievin që po punojnë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Së bashku me liderët e Finlandës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Komisionit Evropian dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, ne kemi koordinuar qëndrimet tona para takimit me presidentin Trump. Ukraina është gati për një armëpushim të vërtetë dhe për vendosjen e një arkitekture të re sigurie. Na duhet paqja”, shtoi ai.






