Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se bisedimet e së hënës në Shtëpinë e Bardhë ishin më të mirat deri më tani dhe se ai ishte “gati për një takim dypalësh me Putinin”.
Por, çfarë thanë udhëheqësit e tjerë evropianë që ishin në Shtëpinë e Bardhë:
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer tha se ishte “shumë i kënaqur” me rezultatin e takimit, i cili tregoi një “ndjesi të vërtetë uniteti” midis udhëheqësve. Ai theksoi se “asnjë vendim nuk duhet të merret për Ukrainën, pa Ukrainën”.
Kancelari gjerman Friedrich Merz i kërkoi Trumpit të “ushtrojë presion mbi Rusinë për një armëpushim. “Nuk mund ta imagjinoj që takimi i ardhshëm të zhvillohet pa një armëpushim”, tha ai. Putini kishte rënë dakord për një takim dypalësh brenda dy javëve të ardhshme, tha Merz.
Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri jehonë komenteve të Merzit për një armëpushim, por tha gjithashtu se forcat ushtarake evropiane duhet të ndihmojnë Ukrainën me “ushtarakë në terren”.
Presidenti finlandez Alexander Stubb përdori një ton më të kujdesshëm, duke thënë se nuk kishte “asgjë konkrete” në lidhje me pjesëmarrjen e SHBA-së në garancitë e sigurisë për Ukrainën. Sa i përket takimit dypalësh midis Zelenskyt dhe Putinit, ai tha se udhëheqësit rus “nuk mund t’i besohet”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se një nga pyetjet më të rëndësishme ishte “si të sigurohemi që kjo nuk do të ndodhë përsëri, që është parakushti i çdo lloj paqeje”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përsëriti thirrjet për kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia, duke thënë se “kostoja njerëzore e kësaj lufte duhet të marrë fund”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte e quajti Trumpin një “paqebërës pragmatik” dhe tha se udhëheqësit do të punonin për Garanci sigurie gjatë ditëve në vijim.






