Në fillim të një tryeze të rrumbullakët me udhëheqësit evropianë, presidenti amerikan, Donald Trump ishte në një humor veçanërisht të mirë dhe vendosi t’i mbulonte të gjithë me një sërë komplimentesh. Trump tha për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se ai ishte “një zotëri i shkëlqyer, një udhëheqës i shkëlqyer politik në përgjithësi”.
Ai e përshkroi kryeministrin britanik Keir Starmer si një “mik”, duke shtuar: “Njerëzit e duan shumë, ju të gjithë e doni.” Është një deklaratë që mund të habisë shumë votues britanikë, duke pasur parasysh se Starmer nuk gëzon pikërisht popullaritet të gjerë në vend, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Presidenti francez Emmanuel Macron mori gjithashtu lëvdata të pazakonta: “Presidenti Macron i Francës, me të cilin kam qenë që nga fillimi. Më pëlqeu që nga dita e parë dhe më pëlqen edhe më shumë tani. Kjo është mjaft mirë, kjo është e pazakontë.” Supozohet se me “fillimin” që përmendi, Trump po i referohej faktit që të dy morën detyrën në vitin 2017.
Ai e përshkroi kryeministren italiane, Giorgio Meloni si një “frymëzim” e cila” ka qenë në pushtet më gjatë se të tjerët”. Ishte një kompliment paksa i paqartë, duke pasur parasysh se Italia ka ndryshuar jo më pak se 68 qeveri që nga Lufta e Dytë Botërore.
Presidenti finlandez Alexander Stubb u prit me fjalinë: “Duket më mirë se kurrë”. Lind pyetja – sa shpesh takohen ata në të vërtetë me njëri-tjetrin? Stubb njihet si një lojtar i mirë golfi, dhe ndoshta më shpesh nga sa mund të mendohet, shkruan Politico.
Trump e quajti kancelarin gjerman Friedrich Merz “një person shumë të fortë”. Ai shtoi: “Ai është miku im dhe jam i nderuar ta quaj mik.” Por ai menjëherë iu drejtua temës së tij të preferuar – nxirjes. “Ku e ke marrë këtë ngjyrë? Edhe unë e dua të nxihem kështu.”
Po Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen?
“Mendoj se mund të jesh më e fuqishme se të gjithë këta burra në tavolinë”, i tha Trump asaj.






