Qeveria e Kosovës e ka themeluar sot Mekanizmin e Paralajmërimit të Hershëm, i cili ka për qëllim që të monitorojë dhe të rekomandojë masa ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët nuk i respektojnë rregullat për lëvizje të lirë në zonën Schengen pas 1 janarit, 2024.
Mekanizmi i Paralajmërimit të Hershëm është themeluar me shumicë të votave të kabinetit qeveritar.
Në prezantimin e mekanizmit, zëvendësministri i Brendshëm, Bardhyl Dobra tha se mekanizmi është propozuar me qëllim që të menaxhohet suksesshëm procesi i liberalizimit të vizave.
“Finalizimi i procesit të liberalizimit të vizave nga BE-ja, ku shtetasit e Kosovës nga janari do të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, për Republikën e Kosovës ka nënkuptuar një angazhim dinamik i cili do të mundëojë që ky proces të menaxhohet suksesshëm. Në vazhdën e angazhiomeve që po ndërmarrim si ministri, sot propozojë para jush për miratim Themelimin e Mekanizimit të Paralajmërimit të Hershëm, i cili do të themelohet në kuadër të autoritetit qeveritar për migracion”, tha zv/ministri Dobra.
“Ky mekanizim ka për qëllim të monitorojë trendët e lëvizjeve migratore pas liberalizimit të vizave nga BE-ja; të mbledh dhe të analizojë të dhënat e lëvizjeve të shtetasve të Republikës së Kosovës në zonën Schengen dhe të rekomandojë ndërmarrjen e masave ndaj tyre për institucionet relevante”, përmbylli Dobra prezantimin e këtij vendimi.






