Të martën, Shtëpia e Bardhë krijoi një llogari zyrtare në TikTok, “@whitehouse”, për të përcjellë mesazhet e Presidentit Donald Trump te më shumë se 170 milionë përdorues në SHBA.
Videoja e parë e postuar mbrëmjen e 19 gushtit përmbante deklaratën e Trump: “Unë jam zëri juaj”, ndërsa përshkrimi shoqërues ishte: “Amerikë, JEMI KTHYER! Çfarë po ndodh me TikTok?”. Vetëm tre orë pas publikimit, llogaria arriti 25,000 ndjekës dhe aktualisht numëron rreth 70,000.
Presidenti Trump e sheh TikTok si një mjet që e ndihmoi të fitonte mbështetjen e votuesve të rinj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, megjithëse shqetësimet për privatësinë mbeten të larta, pasi të dhënat e përdoruesve amerikanë mund të përfundojnë tek qeveria kineze.
Administrata e tij ka tentuar për muaj të tërë që kompania mëmë ByteDance të shesë TikTok tek investitorë amerikanë, sipas ligjit të miratuar nga Kongresi në vitin 2024, që kërkon ndërprerjen e operacioneve të TikTok në SHBA nëse nuk realizohet shitja deri më 19 janar 2025. Trump ka zgjatur disa herë këtë afat, duke e shtyrë tani për 17 shtator.
Trump ka mbi 15 milionë ndjekës në llogarinë e tij personale në TikTok, “@realdonaldtrump”, dhe përdor aktivisht rrjetin e tij Truth Social, si dhe platformën “X”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, deklaroi: “Administrata Trump është e përkushtuar t’ua përcjellë popullit amerikan sukseset historike të Presidentit Trump në çdo platformë të mundshme.
Mesazhet e tij dominuan TikTok gjatë fushatës, dhe tani jemi të entuziazmuar për të ndërtuar mbi këto suksese në një mënyrë që asnjë administratë më parë nuk e ka përdorur.”
Në një nga postimet e fundit, Shtëpia e Bardhë publikoi një video me momente ikonike të Presidentit, e cila fillon me deklaratën: “Tani jam unë gjuetari.”






