Sot aktivistët e ORCA-s, Dibran Hoxha dhe Rron Gjinovci, kanë dorëzuar siç kanë njoftuar plagjiaturën e kandidati për rektor Ilir Tolaj.
Lajmi është bërë i ditur nga Rron Gjinovci në një postim në Facebook.
“Sapo e dorëzum plagjiaturën e knadidatit për rektor Ilir Tolaj. A ka që na nalë? S’ka. Vazhdojmë deri në fitoren përfundimtare”, ka shkruar Gjinovci në Facebook.
Ndërkohë që në postimin e bërë nga ORCA shkruhet se Tolaj ka bërë plagjiaturë në punimin e tij të doktoratës.
“Doktorata “Sepsisi meningokoksik në Kosovë – Përvojat tona në përdorimin e terapisë adjuvante” e mbrojtur në vitin 2004 në Universitetin e Prishtinës nga kandidati Ilir Tolaj, pjesën e hyrjes, shqyrtimit të literaturës, dhe 99% të referencave i ka identike dhe të përkthyera nga një punim shkencor i vitit 2000 nga autorë të huaj”, shkruhet në postim.
Tutje ORCA shkruan se pret nga Këshilli i Etikës të marrë vendimet si më poshtë:
1. masën disiplinore sipas nenit 8, paragrafit 1, nën paragrafit 1.10: “ndërprerje të marrëdhënies së punës”;
2. dhe masën disiplinore sipas nenit 8, Paragrafit 1, nënparagrafit 1.9: “revokim i gradës shkencore” të doktorit të shkencave.
Kujtojmë se Iliri Tolaj është profesor në fakultetin e mjekësisë. Ai gjithashtu ka punuar edhe si sekretar në Ministrinë e Shëndetësisë.
Ndaj Tolajt ka pasur akuzë për korrupsion për kohën sa ai ka punuar në MSh, mirëpo në dhjetor të vitit të kaluar kjo aktakuzë është parashkruar.






