Toni Kroos në një intervistë për mediumin spanjoll MARCA, e para e tij pas pensionimit nga futbolli aktiv, ka reflektuar për sezonin e tij të fundit me fanellën e bardhë dhe vështirësitë që kishte për të komunikuar vendimin e tij për pensionim.
Legjenda gjermane ndër të tjerash ka pranuar se pjesa më e vështirë ishte që ai këtë vendim t’ia bënte të ditur djalit të tij dhe trajnerit, Carlo Ancelotti.
“Ishte me të vërtetë më e vështirë për t’i treguar djalit tim të madh sepse e dija sa shumë e ka shijuar të më shihte në televizor dhe në stadium”.
“Ai ka përjetuar kaq shumë momente, ka qenë në katër finale të Ligës së Kampionëve dhe si fëmijë, ai nuk do ta harrojë kurrë këtë”, ka thënë Kroos fillimisht.
“Dhe ishte shumë e vështirë që t’i tregoja Carlos pasi ai priste që unë të vazhdoja dhe ne ende kemi një raport shumë të mirë. Ai ishte trajneri im i parë këtu, kështu që nuk ishte e lehtë t’i tregoja, por në jetë gjithçka ka një fund”.





