Ekuadori e ka regjistruar fitoren e parë në Kampionatin Botëror pasi ka mposhtur nikoqirin e këtij evenimenti të madh sportiv, Katarin me rezultat 2-0.
Ekuadorianët u treguan skuadër shumë më e mirë që nga fillimi i ndeshjes e deri në përfundimin e saj.
Enner Valencia ishte lojtari që vulosi fitoren e Ekuadorit me dy golat e tij të realizuar në pjesën e parë, përkatësisht në minutat 16’ nga penalltia dhe 31-të, transmeton KosovaPress.
I njëjti lojtar tundi rrjetën e Katarit edhe në minutën e tretë, por u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje.
Kështu Ekuadori e kryeson grupin A me tre pikë. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Holanda dhe Senegali.






