Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në tërësi ditën e djeshme, ndonëse Vushtrria ka shkuar në rinumërim.
Rinumërimi ka të bëjë vetëm me votat e kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së, nga të cilët pati ankesa për parregullsi mes sojit të vet.
Sipas rezultateve preliminare, LDK-ja ka dalë e treta nga zgjedhjet e 9 shkurtit, me 171,249 vota në total.
Për këtë, kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka falënderuar votuesit, teksa tha se rritja nga mbi 110 mijë vota më 2021 “flet shumë”.
“Plot 171,249 falënderime për qytetarët e Kosovës që e votuan LDK-në këtë herë. Kaq u bëmë tani. Ishim vetëm 110,206 katër vite më parë, dhe kjo rritje na flet shumë”, shkroi Abdixhiku.
Veç votuesve të partisë, ai falënderoi “në veçanti” edhe 146,352 votuesit e LDK-së që e votuan kreun e partisë si bartës i listës.
“Kjo mbështetje rekord, mbi 85%, është mbështetje për ndryshim të mëtutjeshëm në rrugëtimin tonë përpara brendapartiak! E kam të qartë mesazhin tuaj për LDK-në! Do ta kthejmë në veprim”, deklaroi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sipas përqindjes nga rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.27%, apo 48 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 20.96% apo 24 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.28% apo 20 mandate dhe AAK-NISMA 7.07% apo 8 mandate.





