Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë mbledhjes së kabinetit të tij të martën, ka kritikuar ashpër mullinjtë me erë dhe panelet diellore, ka bërë thirrje për vendosjen e dënimit me vdekje për vrasjet në Uashington DC dhe ka mohuar të jetë diktator.
Trumpi e hapi mbledhjen e gushtit duke nxjerrë në pah, sipas tij, uljen e çmimeve të benzinës dhe ushqimeve dhe përmirësimin e prodhimit amerikan gjatë muajve të parë të mandatit të tij të dytë, raporton AP.
Ai kritikoi objektivat mjedisorë që mbështesin mullinjtë me erë dhe insistoi se administrata e tij “nuk po lejon të ndërtohet asnjë mulli me erë”.
“Ato po e shkatërrojnë vendin tonë. Po i shkatërrojnë të gjithë”, tha Trumpi.
“Ato janë të shëmtuara, nuk funksionojnë, vrasin zogjtë tuaj, janë të këqija për mjedisin”, shtoi ai.
Ndërsa kritikoi panelet diellore, ai nuk tha se nuk do t’i lejonte ato.
Më vonë gjatë mbledhjes, Trumpi bëri të ditur se do të vendosë dënimin me vdekje për çdo vrasje në Uashington DC.
“Ne do të kërkojmë dënimin me vdekje”, deklaroi ai, duke e quajtur një masë “parandaluese shumë të fortë”.
Vlen të theksohet se Uashington DC dhe gati gjysma e shteteve të SHBA-së e kanë hequr dënimin me vdekje, ndërsa studimet e Qendrës së Informacionit për Dënimin me Vdekje nuk kanë gjetur “prova kuptimplote” që përdorimi i tij pengon krimin.
Në fund, Trumpi hodhi poshtë akuzat se është diktator.
“Unë nuk jam diktator. Unë thjesht di si ta ndaloj krimin.”, u shpreh ai.






