Të paktën 12 punëtorë kanë humbur jetën dhe katër të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një pjesë e një ure hekurudhore në ndërtim e sipër u shemb mbi Lumin e Verdhë në provincën Qinghai të Kinës veriperëndimore, raportojnë mediat shtetërore.
Aksidenti ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit të së premtes, gjatë një operacioni pune, kur një kabllo çeliku u këput papritur, duke rrëzuar një pjesë të harkut të urës. Sipas mediave të huaja, një pjesë e kuvertës së urës tani varet e shtrembëruar mbi lumë.
Në momentin e shembjes, në vendngjarje ndodheshin 16 punëtorë. Deri tani, ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin disa trupa, ndërsa kërkimet për të zhdukurit vijojnë me ndihmën e anijeve, një helikopteri dhe robotëve nënujorë.
Struktura e urës, e cila është ende në ndërtim e sipër, shtrihet në një gjatësi prej 1.6 kilometrash dhe ka një lartësi prej 55 metrash mbi lumin, sipas China Daily.
Hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim.





